Lajm shumë i keq për Xherdan Shaqirin

Xherdan Shaqiri nuk ia del dot. Tashmë është zyrtare, futbollisti me origjinë kosovare nuk mund të ndihmojë Interin në dy sfidat e radhës atë të Europa League ndaj Wolfsburgut dhe takimin e fundjavës në kampionat përballë Sampdorias. Shaqiri i cili doli nga fusha i dëmtuar në minutën 24-t të ndeshjes mes Interit dhe Cesenës ka pësuar një tërheqje në bicepsin femoral të kofshës së majtë dhe do të qëndrojë në pushim absolut për 1 javë.

Në këtë mënyrë 23-vjecari nga Gjilani humbet sfidën më të rëndësishme të Interit gjatë kësaj periudhe pikërisht atë të së Enjtes ndaj Wolfsburgut ku zikaltërit do të synojnë të përmbysin disavantazhin 3-1 të ndeshjes së parë për t’u kualifikuar në cerekfinalet e Europa League. E sigurtë është mungesa e Shaqirit në sfidën e ardhshme të kampionatit ndaj Sampdorias të cilën Interi do ta zhvillojë në transfertë pikërisht në stadiumin Marassi mbrëmjen e të Dielës. Nuk dihet nëse ish lojtari i Bayernit do të jetë i gatshëm për sfidën 27 Marsit mes Zvicrës dhe Estonisë e vlefshme për kualifikueset e Euro 2016, ndërkohë që ai do të rikthehet të mbajë veshur fanellën e Interit pas pauzës së kombëtareve pikërisht në sfidën ndaj Parmës.

Që nga transferimi i tij në Milano Xherdan Shaqiri ka zhvilluar në total 10 ndeshje me Interin në të gjitha kompeticionet duke realizuar dhe 3 gola.