Lajm i rëndësishëm për Majlinda Kelmendin

Majlinda Kelmendi ka mësuar që dhembjet e shpinës që e kanë shqetësuar për kohë të gjatë nuk janë diçka serioze dhe nuk pritet ta pengojnë atë në rrugëtimin drejt medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

 

Xhudistja pejane në fillim të vitit të kaluar kishte pësuar një lëndim të gjurit e menjëherë i ishte nënshtruar një operimi. Rikuperimi nga lëndimi në gju u mbyll me sukses në fillim të verës së kaluar, por ndërkohë asaj iu paraqitën dhembje në shpinë.

Për këtë arsye kishte lëshuar botërorin e vitit të kaluar që u mbajt në muajin gusht. Ishte kthyer në shtator në një garë me ngarkesë shumë më të vogël. Prej atëherë Majlinda nuk ka marrë pjesë në shumë gara. Ka vazhduar me rezultate maksimale, por telashet me shpinën nuk i janë ndarë asnjëherë.

Dhembjet e shpinës, sipas kampit të saj, nuk janë shumë të mëdha, por i pamundësojnë koncentrim maksimal gjatë stërvitjeve dhe garave. Po ashtu e kanë pamundësuar që në disa raste të shfaqte gjithë forcën që e ka, e që është ndër anët e forta të kampiones së dyfishtë të botës në xhudo.

Kelmendi më vonë këtë muaj do të paraqitet në Kampionat evropian, e gjatë gushtit në Lojërat Olimpike që mbahen në Rio de Janeiro të Brazilit, shkruan Koha Ditore.