Lajm i mirë, Kosova aplikon në UEFA

Federata e Futbollit e Kosovës pritet që gjatë muajit mars të bëjë një hap të madh drejt kalimit të pengesave për pranim në UEFA e FIFA. FFK-ja më 9 mars pritet të riaplikojë për pranim në konfederatën evropiane të futbollit, UEFA, ndërsa për Kosovën pritet të diskutohet në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, që mbahet më 22 e 23 mars në Vjenë, shkruan sot “Koha Ditore”, përcjell futbolli.info.

Më 24 mars do të mbahet Kongresi i rregullt i UEFA-s. “Do të flitet për Kosovën në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Pas vizitave që kanë pasur dy zyrtarët e UEFA-s në Kosovë, do të ketë diçka. Tani nuk e dimë çka, mbetet të shihet. Jemi në pritje të agjendës së UEFA-s, ndërsa me rëndësi është që ka vullnet që të tejkalohet neni famoz i statutit të UEFA-s që për pranim kërkon njohjen paraprake nga Kombet e Bashkuara”, ka thënë Fadil Vokrri.

Vokrri më 18 mars do të ketë një takim me kryetarin e Federatës gjermane të futbollit, Ëolfgang Niersbach për të harmonizuar agjendën për takimin e KE të UEFA-s. ”Para takimit të Komitetit Ekzekutiv  të UEFA-s, do të aplikojmë për pranim në këtë organizatë. Në fakt, ky do të jetë një riaplikim, do të bëhen pak ndërhyrje në aplikacion, do të freskohet ai, pasi kur kemi aplikuar në FIFA një kopje i është dërguar UEFA-s. Tani nuk mund të themi se çfarë vendimi do të merret”, ka theksuar Vokrri.