Qëndrim Zyba është një ndër talentët më të mëdhenj që aktivizohet në futbollin e Kosovës në klubin më të madh në Kosovë, FC Prishtina.
20-vjeçari tash e katër vjet është pjesë e “bardhekaltërve”, ndërkohë që ka mahnitur me paraqitjet dhe aftësitë e shfaqura në fushë.
Mesfushori edicionin e kaluar ishte në kulmin e karrierës së tij, teksa në ndeshjen ndaj Ferensvaroshit në Ligën e Kampionëve u ndërpre gjithçka kur e pësoi një lëndim të rëndë në ligamente të gjurit në takimin e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Që nga 13 korriku Zyba nuk ka shkelur në fushat e gjelbra, ndërkohë që më 28 korrik i është nënshtruar operimit me shumë sukses.
Tash e një kohë Zyba, që pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës U-21, e ka nisur fazën e rikuperimit.
Në një prononcim për faqen zyrtare të klubit të FC Prishtinës, Zyba e ka dhënë një lajm të madh, duke njoftuar se në javën e dytë të janarit do t’i bashkohet në stërvitje skuadrës së drejtuar nga trajneri Abdulah Ibrakoviq.
“Gjithçka po shkon shumë mirë. Jam në fazën e zhvillimit të muskulit, në fazën e tretë të rikuperimit. Unë jetoj me futbollin dhe kjo periudhë nuk ka qenë e lehtë, por dëshira që të kthehem sa më parë dhe t’i ndihmoj ekipit më ka motivuar që të punoj maksimalisht”, ka thënë Qëndrim Zyba për faqen e klubit prishtinas.
“Ekipit në përgatitje do t’i bashkohem në javën e dytë të janarit, me ritëm gradual, në mënyrë që ta përgatitem për pjesën pranverore të kampionatit”, shtoi Zyba duke i komentuar edhe rezultatet e Prishtinës në stinorin vjeshtor dhe ëndrrën e madhe të pranverës.
“Ecuria e skuadrës nuk ka shkruar ashtu siç e kemi parashikuar. Gjithsesi, Prishtina do të kthehet shumë shpejt aty ku e ka vendin dhe do ta mbrojë titullin kampion në 100-vjetorin e themelimit të klubit”, përfundoi Qëndrim Zyba.
/Gazeta Olle/