Ky është rekordi i Leart Eminit

Njëri prej futbollistëve të paktë në elitën e futbollit të Kosovës, që nuk është ndëshkuar asnjëherë në këtë sezon me karton të verdhë e as të kuq, është Leart Emini i Hajvalisë dhe për të është një rekord që në një periudhë prej 14 ndeshjeve nuk është ndëshkuar asnjëherë.

Ai, ndihet i lumtur me këtë fakt dhe thotë se nuk e mban mend se ka munguar në ndonjë ndeshje për shkak të kartonëve.

“Po është mirë edhe pse vet jam kthyer nga lëndimi dhe ndoshta spontanisht i kam zbutur pak sidomos ndërhyrjet, por edhe në njëfarë mënyrë është edhe fat. Në njëfarë mënyre nuk është se njihem si lojtar që marr shumë kartonë”, u shpreh Emini.

Futbollisti i Hajvalisë, theksoi se beson shumë në suksesin e skuadrës.

“Mendoj se kemi bërë një punë të mirë gjatë gjithë kohës dhe nuk është befasuese pozita që kemi në tabelë. Besoj se do të vazhdojmë me këtë ritëm dhe me këto rezultate pozitive. Shpresoj që të na përcjellë fati deri në fund. Ambiciet tona janë mjaftë të mëdha, kur dihet se jemi në prag të pranimit dhe pozita e kampionit merr pjesë gjithsesi në garat evropiane”, është shprehur Emini për Infokusi.com.

Ai nuk ka dashur të flas lidhur me minutazhen që ka në skuadër.

“Sa i përket minutazhës, është zgjedhje e trajnerit dhe nuk kisha dashur të komentoj më shumë”, nënvizoi Emini.

Duhet theksuar se ndër lojtarët që kanë luajtur mbi 10 ndeshje e që nuk janë ndëshkuar asnjëherë me kartonë të verdhë e as të kuq, janë edhe Kushtrim Mazreku i Lirisë, Denis Krasniqi (Vushtrria), Labinot Osmani (Prishtina), Arben Beqiri (Trepça ’89), Faton Maloku (Gjilani) dhe Artan Latifi (Drita).