Ky është mesazhi i Simeones për Realin

Atletico e Madridit është gati për sfidën e parë cerekfinale të Championsit ndaj Realit. Trajneri i Los Colchoneros Diego Pablo Simeone konfirmoi në konferencën për shtyp praninë në fushë që nga minuta e parë të sulmuesit kroat Mario Mandzukic dhe portierit slloven Jan Oblak ndërkohë që theksoi se skuadra e tij nuk e ka aspak frikë Realin dhe do të zbresë në fushë vetëm për një rezultat pozitiv.

” Në një kampionat të gjatë normalisht që Reali do të kishte më shumë shanse se ne për suksesin final pasi ka në përbërje futbollistë më cilësorë, por në vetëm 2 takime gjithcka mund të ndodhë dhe unë besoj se skuadra ime i ka mundësitë për tu kualfikuar në gjysmëfinale. Për ne është nder të jemi mes 8 skuadrave më të mira të Europës dhe do të bëjmë gjithcka për të kënaqur tifozët tanë me një fitore. Unë mendoj se shanset për të qenë pjesë e gjysëmfinaleve janë 50 me 50″.

Simeone në përballjen e kësaj të Marte parishikon një Real Madrid të ngjashëm me atë të gjysmëfinaleve të Kupës së Mbretit gjatë sezonit të kaluar.

” Insistoj do të kemi përballë Realin më të mirë të mundshëm. Unë mendoj se ata do të jenë më aktiv gjatë këtij takimi në fazën mbrojtëse. Prania e Modric në formacion i jep një tjetër dimension lojës së Realit, pasi me kroatin në skuadër ata shfaqin më tepër agresivitet në mesin e fushës”.

Në përfundim Simeone falenderoi Carlo Ancelottin për vlerësimet ndërkohë që theksoi se e adrimon së tepërmi italianin mbi të gjitha si njeri.