Ky është dirigjenti i Llapit që po shkëlqen në Superligë, Hamdi Namani

Padyshim se një ndër lojtarët që ka spikatur në këtë edicion të Superligës së Kosovës në futboll, është edhe mesfushori i Llapit, Hamdi Namani.

Nën dirigjimin e tij në repartin e mesfushës, skuadra e Llapit në këtë edicion, në shumë ndeshje i ka bërë të lumtur tifozët llapjan ‘Legjendat’.

Gazetaolle.com e ka zhvilluar një bisedë me lojtarin që njihet si ‘Lumi’, e i cili në këtë kampionat ka realizuar katër gola e ka bërë shumë asiste për bashkëlojtarët e tij. “Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e Llapit në këtë edicion. Kemi zhvilluar lojëra shumë të mira dhe mendoj se në disa ndeshje edhe jemi dëmtuar”, ka thënë Hamdi Namani.

n

Ai tash e tre vite është pjesë e ekipit të drejtuar nga trajneri Tahir Batatina. “Kam patur paraqitje të mira, por mund të luaj edhe më mirë”, shtoi Namani.

21-vjeçari me fizik të jashtëzakonshëm prej sportisti, synon që të bëjë karrierë edhe jashtë Kosovës. “Nëse nuk do ta kisha synim, nuk do të isha marrë fare me futboll. Nga Kosova në vitet e fundit kanë dal disa futbollistë në Evropë dhe besoj se edhe unë do ta kem fatin e tyre. Besoj se me punë dhe me angazhim, do të arrihen të gjitha”, potencoi Hamdi Namani.

Kujtojmë se Namani është pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës U-21. /Olle