Kushtrim Gashi: Feronikeli është ngritur me Tovërlanin, por ne duam vetëm fitore

Suhareka dhe Podujeva sjellin sot dy super-sfida, me të cilat mbyllet xhiroja e dytë e elitës së futbollit kosovar.

Pas fitores në udhëtim ndaj Besës 4:1, Ballkani luan ndeshjen e parë në shtëpi të këtij edicioni, ku pret ekipin e Feronikelit, përcjellë Gazeta Olle.

Fillimi i furishëm i kampionatit nga skuadra e Drenasit, që deklasoi Gjilanin të dielën, e bën këtë ndeshje mjaft të paparashikueshme.

Mesfushori i Ballkanit, Kushtrim Gashi, e vlerëson lartë Feronikelin.

“E kam parë ndeshjen e Feronikelit me Gjilanin. E kishin përgatitur ndeshjen shumë mirë. Prej që e ka marrë Tovërlanin, skuadra është organizuar shumë mirë dhe ka disiplinë të madhe në lojë”, deklaroi Gashi në emisionin “2 me 1”.

“Do të jetë një ndeshje e mirë, ne do të futemi vetëm për fitore”.

“Duke marrë parasysh që janë gjashtë skuadra që kanë bërë përforcime shumë cilësore, mendoj që si vendës duhet t’i fitojmë të gjitha”, shtoi ai.

Gjyqtar kryesor në këtë ballafaqim do të jetë Selim Isufi me asistentë Fatlum Berishën e Bujar Selimajn, ndërsa gjyqtar i katërt Vigan Ibërdemaj.

Takimi fillon prej orës 16:00. /Gazeta Olle/