Kush mund ta zëvendësojë Mavrajn?

Mërgim Mavraj pritet të jetë mungesa e madhe e Shqipërisë në përballjen kundër Armenisë.

Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë skuadrës kuqezi treguan dje se ka pak shanse që mbrojtësi të jetë gati në ndeshjen e së dielës.

Dje ai nuk është stërvitur fare, në një kohë stafi mjekësor po i qëndron pranë, duke provuar ndoshta mundësitë e fundit të një rikuperimi në kohë rekord.

Dje, teksa Kombëtarja po stërvitej, Mavraj është parë të largohet në të njëjtën makinë me stafin mjekësor të ekipit.

Kontrolli i hollësishëm që i është bërë duket se ka prishur disi qetësinë e stafit kuqezi, pasi problemi muskulor që ka qendërmbrojtësi kërkon kohë dhe nuk premton për riaftësim të shpejtë. Vetëm një mrekulli mund të bëjë që Mavraj të jetë në fushë të dielën.

Mungesa e tij ndaj Armenisë prish planet e De Biasit, për faktin se edhe alternativat në mbrojtje nuk janë të shumta. Megjithatë, në stërvitjen e djeshme, italiani punoi për herë të parë taktikisht.

Nga ajo që u pa, në krah të kapitenit Cana u provuan Ajeti dhe Curri. Një nga këta të dy pritet të jetë zëvendësuesi i Mavrajt. Pjesë tjetër e mbrojtjes kompletohet me Hysajn në të djathtë dhe Agollin në të majtë. Lila mbetet në stol, ndërsa nga krahët e mesfushës ka shumë konkurrencë. Me treshen e qendrës Xhaka-Kukeli-Abrashi thuajse të sigurt, Roshi dhe Lenjani duken më të preferuar nga krahët. Mirëpo, asgjë nuk mund të thuhet se është e fiksuar, pasi Gashi dhe Rama kërcënojnë seriozisht Roshin dhe Lenjanin për një vend titullari. Edhe sulmi ka dilema, por dje në stërvitjen taktike De Biasi aktivizoi fillimisht Cikalleshin, ndërsa më pas përdori edhe Balajn. Gjasat janë që sulmuesi kavajas ta nisë si titullar ndaj Armenisë.