Kush janë të rinjtë?

Situata e fundit me ekipin kombëtar, përveç fushës së gjelbër shpërfaqi edhe një anë tjetër. Më shumë sesa grinta, angazhimi, renditja taktike, me gjysmë zëri u akuzuan “të rinjtë”. Garda e vjetër, po i quaj kështu lojtarët që e kanë bërë Kombëtaren “banim rezident” pavarësisht formës, pavarësisht ekipit ku luajnë dhe nëse luajnë apo jo, në prononcimet për shtyp këtë javë kanë hedhur dyshime tek angazhimi i të prurjeve të reja në ekip. “Të rinjtë nuk e ndjejnë fanellën e Kombëtares sikur ne” tha njëri, “Të rinjtë nuk po përshtaten aq mirë…” tha tjetri. Pyetja retorike që lind në këto raste është: Kush janë të rinjtë? Kombëtarja, edhe në të kaluarën e ka treguar se prurjet e reja i ka me pikatore, dhe paçka se rezultatet kanë munguar nuk ka treguar guxim për një transformim rrënjësor. Në dy ndeshjet e fundit janë ftuar lojtarë që kanë shumë ndeshje mbi supe me ekipin kombëtar, përjashto 2 – 3 emra që edhe ashtu me vështirësi ju jepet rasti. Dyshoj se mos të ishte presioni publik ndoshta as për futbollistin e Chelseat (Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë në histori të saj lojtarë nga Premier liga) nuk do të kishte hapësira, pasi besimi tek “të vjetrit” është kthyer tashmë në një rit. Futbolli është një lojë e paparashikuar, është shumë e natyrshme që rezultatet jo gjithnjë mund të kënaqin apetitet e tifozëve, por të hedhësh baltë mbi “të rinjtë” kur ke mbi supe mbi 50 ndeshje me ekipin kombëtar, dhe suksesi maksimal ka qenë fitorja ndaj Luksemburgut 1-0 është e pandershme. Ashtu siç është e pandershme edhe kritika për mos-përshtatje të të rinjve që për mirëpritje kanë pasur përbuzjen dhe akuzat se nuk po përshtaten. Hapni rrugë, reflektoni, lëshoni radhën pasi “yjet e vjetra” nuk ndiçuan, t’i provojmë të rinjtë që edhe nëse nuk japin rendimentin e dëshiruar, nuk është se ikim larg “sukseseve” të të vjetërve.

(Shkruan Petrit Osmani, tifoz i Kombëtares së Shqipërisë)

Liridon Leci merr një tjetër detyrë te Flamurtari

Fantastike: Dy yjet e Kosovës në formacionin më të mirë të javës në Ligën e Kombeve