Kush e shkarkoi Mazzarrin?

Ish-trajneri i Interit, Walter Mazzarri flet për herë të parë publikisht për shkarkimin e tij nga klubi zikaltër.

Ai thotë se nuk ishin rezultatet ato që sollën shkarkimin e tij, por paragjykimet. “Në kendvështrimin tim nuk ishin kushtet për t’u shkarkuar për shkak të rezultateve. Sa i përket situatës në përgjithësi kam krijuar një ide timen. Të gjithë e dinë, por bëjnë sikur s’dinë gjë. Për momentin kaq mund të them. Me kalimin e kohës do të ketë raste të tjera për të deklaruar më shumë”, thotë ai për një media sportive japoneze.

Ai thotë se skema e tij ka treguar në fushë që është një skemë fituese. “Te të gjitha skuadrat që kam drejtuar, përfshirë këtu edhe Interin, skema ka qenë me mentalitet fitues. Më shumë flet Juventusi i Conte-s që me mbrojtjen me 3 lojtarë fitoi dy kampionate radhazi, dhe për më tepër, Conte ndryshoi skemën vetëm për t’iu përshtatur modulit dhe tipit të lojës sime”, shton ai.

Mazarri shton se ka qenë brenda objektivave të vendosur nga drejtuesit. “Nuk ka qorr më të madh se sa ai që s’do të shikojë. E di si funksionojnë gjërat në atë ambient. Paragjykimet mbi personin, vendimet e tij dhe për skemat përdorura shtrembërojnë edhe vetë realitetin”, thotë ai.

Ish-trajneri i Interit pati një krisje me tifozët para se të shkarkohej dhe t’i lironte vendin Mancini-t që gëzon një popullaritet të madh mes mbështetësve zikaltër. Vetë trajneri aktual i Interit, në një deklaratë të pak ditëve më parë tha se nëse Mazzarri do të ishte në krye të Interit, skuadra do të kishte katër ose pesë pikë më shumë.