Kush duhet t’i gëzohet suksesit të Prishtinës?

Ish-trajneri i mirënjohur, Masar Nixha, ka deklaruar se suksesit të Sigal Prishtinës në Ballkan Ligë duhet t’i gëzohen të gjitha qytetet e Kosovës.

Prishtina u kualifikua për herë të parë në finale të kësaj lige, ku do të takohet me bullgarët e Rilski Sportist.

“Sigurisht, kjo është e arritur e madhe, pasi ësthë hera e parë që një ekip kosovar shkon në finale të një turneu ndërkombëtar. Vitin e kaluar Prishtina kishte shkuar deri në ‘Final Four’, e tash në finale. Kisha dëshirë të shkonte edhe Peja, por në fund dështoi, nuk e di pse. Por, kryesore është që e kemi një ekip në finale dhe këtij suksesi duhet t’i gëzohen të gjithë në Kosovë, pa dallim cilit qytet i përkasin”, deklaroi Nixha për Zërin.

Ai beson se kryeqytetasit do të dinë ta fitojnë edhe finalen.

“Unë besoj se Prishtina do të shpallet kampion, pasi e ka një lidhshmëri të mirë në ekip. E ka një mbrojtje të fortë dhe sulmin po ashtu. Po luajnë mirë së bashku. Suksesi i Prishtinës do të ndikonte në popullarizimin e basketbollit në vend”, shtoi ai. (Gazeta Olle)