Kush duhej të ftohej në Përfaqësuese sipas Tovërlanit e Munishit?

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, e ka zbuluar sot listën me lojtarët e ftuar për miqësoret me Werder Bremenin dhe Eintracht Frankfurtin, që luhen më 24 dhe 27 mars në Gjermani.

Bunjaku që jeton dhe vepron në Suedi, hiq portierin Altik Muhaxhiri që mund të konsiderohet si portier i tretë në Përfaqësuese, dhe talentin e Kosovës së Vushtrrisë, Milot Rashica, i cili llogaritet si lojtar i Vitesse Arnhemit në Holandë (ka nënshkruar kontratë), nuk ka ftuar ndonjë lojtarë tjetër që luan në Kosovë.

Kujtojmë se u ftua edhe Ilir Avdyli (Hajvalia) por që viza ia mohoi Përfaqësuesen. Bunjaku madje nuk ka ftuar asnjë futbollistë kosovarë që luan në Shqipëri, e ku ky kampionat konsiderohet ndër më cilësoret që është zhvilluar ndonjëherë në shtetin amë.

Strategu i futbollit kosovar, Afrim Tovërlani mendon se Bunjaku ka harruar diçka. “Është e drejt e tij me zgjedh. Por, e kam thënë edhe më parë se janë disa lojtarë në ligën e Shqipërisë që është dashur të ftohen. Labinot Ibrahimi, Mentor Mazrekaj, Bajram Jashanica, Bernard Berisha edhe Amir Rrahmani, por ai po llogaritet si pjesë e Shqipërisë”, thotë disa herë kampioni i Kosovës me Prishtinën, Afrim Tovërlani për Gazetaolle.com.

Tutje, ‘Toki’ që aktualisht është i papunë, mendon se Bunjaku ka mundur që gjejë ‘brumë’ edhe në Kosovë. “Pa e nënçmuar atë portierin e Vëllaznimit (Muhaxhiri) mendoj se ka portier më të mirë në Kosovë që kanë mundur të ftohen. Tjetra, edhe Behar Maliqi (Feronikeli) për momentin e meriton Përfaqësuesen, e ndoshta edhe Mentor Zhdrella (Prishtina)”, përfundoi Afrim Tovlërlani.

Munishi: Ja më kë do ta kisha mposhtur

Ismet Munishi, trajner i Hajvalisë po vlerëson se Albert Bunjaku, mund ta promovojë më shumë futbollin e Kosovës. “Herën e fundit kam biseduar me Albertin, kur ka qenë shpallja e sportistit të vitit në Kosovë. I kam thënë se duhet që ta promovojë më shumë futbollin e Kosovës pra, t’i ftojë lojtarët e kampionatit të Kosovë. Me Albertin kemi biseduar në gjuhën shqipe sepse gjuhën suedeze nuk e di. Nëse ka nevojë, e mësoj edhe suedishten nëse nuk më ka kuptuar. Më këto gjeste që po i bënë Alberti po e nënçmon shumë kampionatin e Kosovës, trajnerët dhe njerëzit që e kanë mbajtur gjallë futbollin kosovar. Ne do ta demantojë kur të luajmë në gara evropiane”, reagon Ismet Munishi duke thënë se do ta mundte përzgjedhjen e Kosovës pa problem, me lojtarë që luajnë në Kosovë e Shqipëri.

“Do ta mposhtja pa problem, nëse ka guxim ta luajë një lojë me lojtarë që nuk janë ftuar e që luajnë në Kosovë e Shqipëri. Mendoj se është dashur të ftohen në këtë kohë edhe këta lojtarë: Arbër Prekazi, Shkëlqim Pacolli, Bernard Berisha, Leonit Abazi, Liridon Latifi, Mentor Mazrekaj, Yll Hoxha, Bajram Jashanica, Behar Maliqi. E them sinqerisht se me këta lojtarë do ta mundja pa problem”, përfundoi trajneri më i mirë në Kosovë për vitin 2014, Ismet Munishi.