Prej vitesh ndeshjet e Kupës së Kosovës transmetohen nga operatori që ka blerë të drejtën televizive të këtij kompeticioni dhe të elitës së futbollit kosovar, “Digitalb”.
Mirëpo, në fundjavën e kaluar një ndeshje të këtij kompeticioni e transmetoi edhe televizioni “Zëri TV”, i cili është në tri platformat më të mëdha televizive në vend – Ipko, Kujtesa dhe Art Motion.
Duelin në “Fadil Vokrri” ndërmjet Prishtinës dhe Arbërisë, që nuk u transmetua nga “Supersport”, “Zëri” e transmetoi në TV e po ashtu edhe në Facebook, duke iu ofruar shikuesve mundësi që ta shohin takimin edhe në këtë rrjet social.
Gazeta Olle mëson përmes burimeve konfidenciale se pronari i televizionit në fjalë, Remzi Ejupi, që është edhe president i FC Prishtinës, ka marrë leje direkt në Shqipëri te “Digitalb” për transmetimin e ndeshjes.
Me të drejtë shtrohet pyetja kush do ta transmetojë ndeshjen e ardhshme të Prishtinës në këtë kompeticion, që është cerekfinalja ndaj Vushtrrisë?
“Supersport” nuk e ka transmetuar asnjë prej ndeshjeve të Prishtinës në këtë edicion të kupës, pasi që takimet tjera ishin më interesante.
Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Vushtrrisë zhvillohet më 7 ose 8 shkurt të vitit 2020.
Deri në çerekfinale Prishtina u kualifikua pas fitoreve ndaj Minatorit dhe Arbërisë, që të dyja në kryeqytet. /Gazeta Olle/