Kurtishaj paralajmëron portierët, cakton numrin e golave që do të shënojë

‘Këpuca e Artë’ për edicionin e kaluar, Blerand Kurtishaj, synon të përsërit stinorin pranveror të vitit të kaluar. Sulmuesi i Trepçës ’89, i ka caktuar vetes numrin e golave që do të shënojë në pranverë.

Ai deri më tani ka realizuar gjashtë herë. “Jam përgatitur mirë. Tani e ndiej vetën më mirë se sa në gjashtë mujorin e kaluar, kur u ktheva nga operimi dhe nuk mund të jepja më të mirën. Tani jam përgatitur shumë mirë dhe mendoj që golat nuk do të mungojnë”, thotë Kurtishaj për Gazetën Olle, duke shtuar: “Mendoj se përsëri mund të shënojë 13 gola, sikur vitin e kaluar, pse jo edhe më shumë”.

Ai beson se me përgatitjen fizike që ka do t’i bëjë portierët të vuajnë goxha shumë. “Dëshira është me u shpallur golëshenuesi më i mirë sërish, mirëpo nëse unë shënoj 13 gola, dikush shënon edhe më shumë. Dëshira ime është që golat e mi të sjellin titullin në Mitrovicë”, tha lojtari nga Suhareka.

Skuadra e tij të premten është mysafire e Dritës, në ndeshjen e parë të pranverës. “Jo vetëm për Dritën, mirëpo për çdo skuadër kam një porosi. Ne shkojmë në çdo lojë për fitore, pavarësisht ku oe me kënd luajmë”, shtoi Kurtishaj. (Gazeta Olle)