Kundërshtari i ardhshëm i Ballkanit, të dhëna dhe histori rreth klubit Klaksvik

Kampioni aktual i Kosovës, Ballkani e ka mësuar kundërshtarin e radhës në rrethin e tretë kualifikues në Ligën e Konferencës. Bëhet fjalët për klubin nga Ishujt Faroe, Klaksvik.

Ballkani ka fituar me rezultat të thellë ndaj La Fiorita në dy ndeshjet e rrethit të dytë për t’u kualifikuar tutje në Ligën e Konferencës.

Gjatë mbrëmjes së mërkurë, klubi therandas ka mësuar kundërshtarin për raundin e tretë.

Bëhet fjalët për klubin nga Ishujt Faroe, Klaksvik, të cilët kaluan tutje pasi eliminuan ekipin malazez, Sutjeska.

Por, kush është Klaksvik dhe cilat janë veçoritë e klubit pak të njohur?

Klaksvik ka një emër të plotë ‘Klaksvíkar Ítróttarfelag’ dhe është i themeluar në vitin e largët 1904, pra para plot 118 vitesh.

Klubi i vjetër është njëri nga më të suksesshmit në Ishujt Faroe, pasi ka fituar 19 herë titullin kampion dhe gjashtë herë Kupën. Klubi vesh zakonisht fanellat bardheblu dhe luan ndeshjet në stadiumin ‘Við Djúpumýrar’ me një kapacitet rreth 2500 ulësesh.

Sipas të dhënave të faqes së specializuar të transferimeve Transfermarkt, skuadra e Klaksvik kap vlerën e 2.80 milionë eurove, vlerë e cila është më e ulët se ajo e Ballkanit që vlerësohet 4.05 milionë eurove.

Futbollisti me vlerën më të lartë te Klaksvik është mbrojtësi danez me prejardhje braziliane, Patrick Da Silva, i cili vlen 400 mijë euro, ndërsa te Ballkani më i vlefshmi është Ermal Krasniqi me vlerë prej 350 mijë eurosh.

Mosha mesatare e klubit nga Ishujt Faroe është 26.2 vjet, ndërsa e Ballkanit më e re me mestarë 25.4 vjet. /Telegrafi/

Drita – Royal Antwerp, ky kanal televiziv kosovar e transmeton ndeshjen

FC Prishtina në futsall me probleme të mëdha, klubi drejt shuarjes