A do të përfundojë Lulzim Doshlaku në Shqipëri?

Padyshim se një ndër futbollistët më kualitativ që aktivizohet në elitën e futbollit kosovar, është edhe mbrojtësi Lulzim Doshlaku. Ky futbollist në këtë edicion po e bartë fanellën e Feronikelit nga Drenasi, skuadrës e cila është në rrugë të mirë që ta fitojë titullin e kampionit. “Aktualisht jam i fokusuar dhe i brengosur për skuadrën time. Shpresoj shumë se do të shpallemi kampion, pse jo mos ta rrëmbejmë edhe Digitalb Kupën e Kosovës, pasi që jemi në gjysmëfinale”, ka thënë për sportal.al, Lulzim Doshlaku.

Ky i fundit erdhi te Feronikeli nga Bylisi i Ballshit, ekip i cili u përjashtua në edicionin e kaluar nga Kategoria Superiore Shqiptare.

Doshlaku ka sy synim që të rikthehet sërish në Shqipëri. “Me shumë dëshirë do të rikthehesha në Shqipëri, pasi që kampionati është shumë më cilësor. Ndryshe nga Kosova, në Shqipëri janë të gjitha kushtet”, potencoi ai.

Ditë më parë është folur për një interesim të Flamurtarit të Vlorës për ‘Lulin’. “Mediat në Shqipëri kanë shkruar për një interesim të Flamurtarit, por me mua ende nuk ka biseduar askush”, përfundoi Lulzim Doshlaku.