Kryeministri Hoti dhe ministrja Dumoshi përurojnë Palestrën në Deçan

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministrja për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, kanë përuruar sot Palestrën në Deçan.

Projekti është financuar nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, raporton Gazeta Olle.

“Projekti ka kaluar nëpër tri faza të punimeve dhe kap vlerën totale prej 2,000.000 €. Është ndër palestrat më moderne e që plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare sipas kritereve të Federatës botërore dhe Evropiane të Hendbollit (IHF dhe EHF). Poashtu plotëson të gjitha kriteret për zhvillimin e ndeshjeve në Basketboll në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar duke i plotësuar të gjitha kriteret e FIBA-s. Me këtë rast ekipet nga Kosova mund të zhvillojnë ndeshje të karakterit ndërkombëtar”, ka shkruar Dumoshi.

“Mbi të gjitha palestra i ndihmon zhvillimit të jetës sociale në Deçan dhe i shton bukurinë qytetit dukagjinas. MKRS ka mbështetur vazhdimisht projekte nëpër tërë Kosovën të cilat kanë për synim rregullimin e infrastrukturës sportive. Qeveria Hoti dhe MKRS në vazhdimësi po angazhohen që edhe projekte tjera të ngjashme të shohin dritën sa më shpejtë, konform rregullave dhe kritereve kombëtare e ndërkombëtare”, shkroi tutje ministrja Dumoshi.