Kryetrajneri Cabanas: Do të luftojmë për të arritur diçka pozitive

Trajneri spanjoll, Javier Cabanas ka udhëhequr stërvitjen e parë të Kombëtares së Kosovës, të enjten në Prishtinë.

Cabanas është trajner i Besa Famgasit dhe emër shumë i respektuar në hendbollin spanjoll, shkruan FHK.

Ai është emëruar kryetrajner i Kosovës për ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë, në pamundësi që selektori Taip Ramadani të jetë me ekipin.

Cabanas ka premtuar se të gjithë do të luftojnë për diçka pozitive në ndeshjet e vështira me Malin e Zi dhe Suedinë.

“Jam i entuziazmuar dhe i etur për ndeshjet me Malin e Zi dhe Suedinë. Sot kemi filluar stërvitjet, por vetëm me lojtarë të klubeve të Kosovës. Nesër dhe pasnesër lojtarët që luajnë në vendet tjera do të bashkohen me ne. Vetëm pasi të jemi të gjithë mund të them diçka më shumë. Ne do të kemi rastin tonë në këto dy ndeshje dhe duhet të nxjerrim avantazhe prej kësaj. E di që janë dy ndeshje të vështira, por ne do të luftojmë për të arritur diçka pozitive”, ka deklaruar Javier Cabanas.