Më 5 mars të vitit 2014, Kosova zhilloi miqësoren e parë nën përkujdesjen e FIFA-së kundër Haitit.
Mbi 17 mijë tifozë ishin të pranishëm në stadiumin “Adem Jashari”, për ta shikuar këtë ndeshje.
E për këtë datë historike, ka shkruar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi përmes një postimi në “Facebook”.
Postimi i plotë nga Agim Ademi:
“5 marsi i vitit 2014 është një tjetër datë e rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës. Në këtë datë Kombëtarja e Kosovës e zhvilloi ndeshjen e parë miqësore nën përkujdesjen e FIFA-s kundër Haitit. Rezultati ishte në plan të dytë, ndonëse dëshira dhe angazhimi i futbollistëve për ta shijuar fitoren ishte i jashtëzakonshëm. Emocionet ishin të papërshkrueshme tek gjithsecili, e sidomos tek mbi 17 mijë tifozë të mbledhur në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”. Ata nuk i ndali as rrebeshi i shiut i asaj dite, pasi ëndrra e tyre po bëhej realitet. Kosova e filloi rrugëtimin e saj të ri dhe po njihej gjithandej në glob përmes futbollit. E ky proces u finalizua pas dy vitesh me anëtarësim në UEFA e FIFA. Sot, duke shikuar me krenari në retrospektivë, punojmë në vazhdimësi me përgjegjësi për të ardhmen. E ajo pa dyshim do të jetë e ndritur, sepse kemi djemë e vajza të talentuara që do t’i japin atomin e fundit Kosovës në arritjen e objektivave të mëdha në lojën magjike të futbollit.
Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi! A.A.
/Gazeta Olle/