Kryetari i Drenicës paralajmëron Devollin: Duam rezultate, jo lojë

Drenica nuk e ka nisur aspak mirë misionin e mbijetesës në stinorin pranveror në Superligën e Kosovës në futboll.

Pas humbjes në stadiumin “Fadil Vokrri” nga FC Prishtina (3:1), “kuqezinjtë” kanë lëshuar pikët e plota edhe ndaj Besës (ndeshja përfundoi 0:0) që ndodhet në vendin e fundit.

Presidenti i klubit të Drenicës, Ilir Veliqi në një intervistë për “Zeri.info” ka shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me situatën e krijuar.

Veliqi ka thënë se Drenica është në krizë serioze dhe se këtë ia ka lënë në dorë trajnerit, Bledar Devollit. Mirëpo, në rast se situata vazhdon ende pa ndryshuar, Veliqi ka potencuar se ata nuk do të qëndrojnë duarkryq.

Image result for ilir veliqi drenica

“Të them të drejtën ne ia kemi lënë në dorë trajnerit. Kur ka ardhur ai te Drenica e ka gjetur ekipin qysh e ka gjet. Në afatin e janarit transferimet kanë qenë zgjedhje e trajnerit. Ne ia kemi aprovuar. Kjo është një krizë shumë serioze e rezultateve për Drenicën dhe normal se nuk do rrimë duarkryq për ta lënë fatin në dorë të askujt”, ka thënë Veliqi.

“Ne i kemi afatet tona të caktuara dhe do të shohim. Drenica si në ndeshjen me Prishtinën si me Besën, Drenica ka dominuar, mirëpo neve na nevojiten pikët, jo loja. Nuk guxojmë të rrezikojmë”, shtoi ai mes të tjerave.

Drenica do të ketë punë të vështirë edhe ndeshjen e radhës, pasi udhëton në stadiumin “Rexhep Rexhepi” për t’i matur forcat me Feronikelin.

May be an image of 4 njerëz, people sitting, people standing dhe outerwear

E ky takim mund të jetë “treni i fundit” i trajnerit Devolli.

“Në rast se nuk marrim pikë edhe këtu, atëherë ne duhet të riformojmë komplet. Drenica nuk pret më shumë. Kjo është pika kritike. Pa e nënçmuar angazhimin dhe punën e palodhshme të trajnerit dhe lojtarëve. Kemi bërë një ekip pothuajse të ri, normalisht se edhe trajneri më i mirë me qenë ju nevojitet kohë për t’u komponuar. Përndryshe cilësia nuk mungon përbrenda ekipit, por kryesorja është se po na mungojnë rezultatet”, përfundoi numri një i klubit nga Skënderaj.

Drenica ndodhet në vendin e parafundit në tabelë (9), pozitë kjo që e largon nga elita për here të parë që nga paslufta.