Kryeministri Kurti vizitoi sot Gjilanin, ja çfarë tha për rinovimin e stadiumit të qytetit

Stadiumi i Gjilanit, përkatësisht ndërtimi i tij është njëra nga çështjet më të diskutuara sa i përket infrastrukturës sportive.

Në këtë stadium i zhvillojnë ndeshje dy prej skuadrave më të mëdha në futbollit kosovar si Drita dhe Gjilani, andaj mungesa e kushteve të nevojshme po ua vështirëson punën këtyre klubeve.

Në lidhje me këtë çështje, sot kanë folur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

Kurti ka deklaruar se punimet janë ndalur për shkak të disa shkeljeve të gjetura në projektin e mëparshëm dhe se duhet të korrigjohen ato gabime në mënyrë që procesi të mos ketë shkelje.

“Disa projekte që i kemi gjetur me shkelje përbrenda nuk kemi mund t’i vazhdojmë sepse ne nuk mund të bëjmë mbindërtim në shkeljet e gjetura, ne duhet të bëjmë edhe korrigjim për ndërtim të mbarë. E kam fjalën për stadiumin e Gjilanit i cili është projekt i yni, por duhet të jetë i tillë që edhe përfundohet me sukses dhe pa shkelje në proces”, theksoi Kurti.

Kurse, Hyseni tha se punimet momentalisht janë ndërprerë për shkak se mungon një projekt i detajuar, ndërsa premtoi se në pranverën e vitit të ardhshëm do të bëhen punime intensive për ndërtimin e këtij stadiumi.

“Sa i përket stadiumit tashmë është një çështje shumë e diskutuar. Dihet që e kemi ndërprerë kontratën për shkak të shkeljeve që janë gjetur, ndërkohë që për një projekt të kategorisë së katërt siç është ky në Gjilan nuk ka projekt përfundimtar dhe detal. Ne jemi duke u marrë me projektin aktualisht dhe shpresoj që pranvera e vitit të ardhshëm, me fillimin e sezonës së punimeve do të mund të na gjejë me punë intensive sa i përket stadiumit.”, tha Hyseni.

Përveç stadiumit të Gjilanit, probleme për ndërtimin e tyre ka edhe në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, stadiumin e Pejës dhe atë të Prizrenit. /Lajmi/

Ofruan dorëheqjen pas rezultateve të dobëta me Ferizajn, klubi falënderon Morinën, Berishën dhe Selmanin

Federata e Rumanisë e përfshinë politikën në futboll për ndeshjen me Kosovën në kualifikimet e “Euro 2024”