Kroacia e pakënaqur me vendimin e UEFA-s

Koret raciste dhe hedhja e fishekzjarreve në fushë në fitoren 5:1 me Norvegjinë i kanë kushtuar jo pak Kroacisë.

Në përfundim të hetimeve për këto incidente, UEFA vendosi ndëshkimin e vendit ballkanik me një ndeshje pa tifozë në shtëpi. Konkretisht, Kroacia takimin e radhës eliminator për europianin me Italinë do ta luajë me dyer të mbyllura, duke i shkaktuar kështu federatës shumë humbje në të ardhura. Damir Vrbanovic, zëvendëspresidenti i federatës, reagoi mjaft i revoltuar dhe nuk u kursye aspak në akuzat ndaj qeverisë europiane të futbollit.

“Jemi të shokuar me këtë ndëshkim drakonian nga UEFA për 5 fishekzjarre dhe 2 thirrje raciste në ndeshjen me Norvegjinë. Mbi të gjitha sepse delegati i UEFA-s shkruajti në raport se ishte një takim i shkëlqyer. Sfida me Italinë duhet të ishte spektakolare në çdo aspekt, ndërsa ne si federatë do të humbasim miliona Euro. Pa dyshim që do ta apelojmë këtë vendim. Legjenda e Kroacisë, Davor Suker është pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, kështu që presim edhe impaktin e tij në këtë çështje”.

Kjo nuk është hera e parë që tifozët kroatë bëhen problematikë në takimet e kombëtares së tyre. Edhe në ndeshjen e parë eliminatore me Italinë, që u luajt në San Siro, për shkak të hedhjes së fishekzjarreve, ndeshja e 16 Nëntorit u ndërpre dy herë.