Krerët e FFK-së morën pjesë në Kongresin e UEFA-s, Çeferin do të kandidojë edhe për një mandat

Sot në Vjenë është mbajtur Kongresi i 46-të i UEFA-s, në të cilin kanë marrë pjesë presidenti Agim Ademi, nënkryetari Bakir Burri dhe u.d.sekretari i përgjithshëm, Taulant Hodaj. Gjatë punimeve të kongresit zëvendëspresidenti Karl-Erik Nilson paralajmëroi se me insistimin e presidentit të Federatës daneze të futbollit, Jesper Møller, presidenti aktual i UEFA-s, Aleksandër Çeferin do të kandidojë edhe për një mandat në krye të këtij institucioni. FFK ishte ndër federatat e para që i dha përkrahje kandidimit të presidentit Çeferin së bashku me Federatën e Shqipërisë dhe atë të Maqedonisës së Veriut.

Pas paralajmërimit se do t’i hyjë garës edhe për një mandat, Çeferin mori duartrokitje frenetike nga të gjithë delegatët e Kongresit, duke u vërtetuar kësisoj përkrahja e plotë që gëzon nga komuniteti i futbollit evropian për mandatin e ardhshëm. Çeferin drejton UEFA-n që nga viti 2016, ndërsa në vitin 2019 u konfirmua në këtë pozitë dhe ka mandat deri në vitin 2023.

Para kongresit presidenti Ademi ka pasur takime me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino dhe me homologë nga federatat tjera. Në takimin me të parin e FIFA-s, presidenti Ademi e ka falënderuar atë për mbështetjen dhe vëmendjen që i jep futbollit të Kosovës, teksa në në prag të shënimit të 6-vjetorit të Kosovës si pjesë e familjes së futbollit botërore ia ka shprehur mirënjohjen e tërë komunitetit të futbollit kosovar për kontrubutin e tij në procesin e anëtarësimit të Kosovës në FIFA.

Kongresi i ardhshëm i UEFA-s do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë më 5 prill të vitit 2023.

“Forca” rivalizon “Arpagjik’t”, udhëtim masiv me 25 autobusë drejt Klinës për ndeshjen e barazhit

Namani 100 ndeshje me Dritën