Krasniqi transferohet në Malajzi

Nëse kemi menduar se deri më sot nuk ka pasur në kampionatin e Malajzisë asnjë shqiptarë, nga sot nuk mund të thuhet kështu, pasi një i tillë ka nënshkruar kontratë.

Fjala është për anëtarin e Përfaqësueses së Kosovës, Liridon Krasniqin i cili ka arritur marrëveshje me skuadrën Premierligës, Kedah Fc. Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar vetë futbollisti nga Vitia, duke u shprehur i lumtur me këtë marrëveshje.

“Kam nënshkruar kontratë me skuadrën Kedah, e cila është pjesë e Premierligës në Malajzi. Jam shumë i kënaqur me kushtet e ofruar si dhe me klubin dhe personat që më kanë pritur mjaftë mirë”.

“Jam transferuar në Malajzi pasi kam dashur të provoj edhe këtë përvojë jashtë Evropës. Këtu është atmosfera fantastike, pasi njerëzit jetojnë për futboll. Në çdo ndeshje stadiumet janë të mbushura me mbi 40 mijë tifozë. Shpresoj t’i ndihmojë skuadrës time për t’i arritur objektivat e veta”, deklaroi Krasniqi për Telegrafin.

Kedah është skuadër e madhe në këtë shtet, pasi ka gjashtë tituj të kampionit të fituar, ndërsa ka fituar edhe Kupën katër herë. Kujtojmë që në kampionatin e Malajzisë vitin e kaluar kanë luajtur edhe dy yjet e mëdha si argjentinasi Pablo Aimar dhe senegalezi El Hadji Diouf.