Kozniku rrezikon shkarkimin te Shkëndija

Pas disfatës së fundit nga Teteksi, pozita e Ardian Koznikut si trajner i Shkëndijës së Tetovës është vënë në rrezik. Për të konfirmuar këtë lajm, Koha në Maqedoni kontaktuan drejtorin e klubit, Nebi Mustafi, i cili tha se në këtë moment kur ekipi nuk është në formë të mirë, rrezikohen të gjithë ata që janë pjesë e Shkëndijës.  “Neve na ngel që këto ditë të analizojmë gjithçka si duhet dhe të shohim se ku kemi gabuar. Para kohe nuk mund të flas kush rrezikohet nga kjo situatë. Në këtë moment rrezikohemi të gjithë ne që jemi pjesë e Shkëndijës, duke filluar nga futbollistët, stafi teknik e deri më lartë në skuadër. Mirëpo, për momentin nuk kemi ndonjë vendim, pasi lëvizjet eventuale do të ndodhin vetëm pasi të analizojmë mirë situatën”, thotë për KOHA, Mustafi.

Ai është i vetëdijshëm se sezoni pranveror nuk filloi mirë ku nga katër ndeshjet e zhvilluara, kuqezinjtë kanë arritur dy fitore, një disfatë dhe një barazim, teksa pranon se lojtarët po luajnë dobët dhe ky fakt ata i mërzit më shumë se sa rezultatet. (Gazeta Olle)