Kosovës do t’i ndërrohet emri

Klubi i hendbollit Kosova do të quhet kështu vetëm deri në fund të këtij sezoni. Kjo pasi Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) ka kërkuar nga drejtuesit e klubit vushtrrias që t’ia ndërrojnë emrin klubit, pasi sipas Rregullores së shtëpisë së hendbollit kosovar, shkruan Zëri, asnjë klub në Kosovë nuk mund të quhet me emrin e Përfaqësueses së Kosovës.

Për këtë, vushtrriasit po mendojnë ta organizojnë një Kuvend të klubit së shpejti, për të diskutuar rreth kësaj çështjeje, përcjell Zëri. Nga aty pritet të dalin propozime për emrin e ri të klubit. Kryesia e klubit ka kërkuar ide rreth emrit, të cilin duhet ta ndërrojnë maksimum deri në muajin qershor. Kosova garon në Superligë.