Kosova (V) – Trepça, mund të regjistrohet me rezultat 0:3

Kosova e Vushtrria e ka mposhtur 2:1 Trepçën të dielën, në kuadër të javës 23 të Raiffeisen Superligës. Mirëpo, ky takim ka gjasa të regjistrohet me një rezultat krejt tjetër.

Është skuadra mitrovicase që ka dërguar ankesën në federatë të hënën, dhe kërkon që ndeshja në fjalë të regjistrohet me rezultatin e tavolinës, 0:3.

Avni Haxhiu, nënkryetar i Trepçës, tregon se sipas informatave të tyre, mjeku i Kosovës së Vushtrrisë nuk ka pasur të drejtë të kryejë punën në takimin e luajtur në “Ferki Aliu”.

“Edhe kjo ndoshta është një e drejtë e jona. Nga doktori ynë, që ka qenë i pranishëm në Vushtrri, dhe njëkohësisht sekretari ynë (Bedri Sadiku), është konstatuar se ai djali, pra doktori i Kosovës së Vushtrrisë, nuk ka licencën e mjekut, ose e ka të dyshimtë”, thotë Haxhiu ekskluzivisht për GazetaOlle.com.

“Dyshimet tona kanë ardhur pasi doktori ynë ka biseduar me doktorin e Vushtrrisë, dhe në bazë të bisedës që kanë zhvilluar lindin dyshime nëse ai ka licencë. Po ashtu e kemi edhe një burim, që nuk është e drejtë për ta treguar. Pra ne kemi bërë ankesën dhe kërkojmë fitoren”, shtoi Haxhiu.

Tani i mbetet Komisarit të Garave të FFK-së, që të martën, kur mbahen zakonisht mbledhjet e tyre, të marrë vendimin për ndeshjen në fjalë.

Nëse aprovohet ankesa e Trepçës, ky tre pikësh do të ishte një infuzion i madh i skuadrës mitrovicase, e cila ruan vendin e fundit në Superligë me 15 pikë. (Gazeta Olle)