Kombëtarja U21 e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin ”Fadil Vokrri”.
Selektori Afrim Toverlani bashkë me të përzgjedhurit e tij, bënë përgatitjet e fundit para ndeshjes me Estonin.
Përgjatë 9 ditëve, Dardanët patën rastin të tregojnë performancën e tyre derisa e analizuan deri në detaj edhe kundërshtarin.
Pritjet për këtë ballafaqim nga futbollistët kosovar janë pozitive. Derisa janë përgatitur të shfaqin lojë të bukur, Dardanët janë optimist edhe për fitore.
Kapiteni Valon Zumberi tregoi përparësitë e Kosovës derisa pati një mesazh edhe për tifozët Dardan.
“Në mbrojtje ne jemi shumë më të fortë dhe kjo është përparësia e ekipit tonë. Ne gjithmonë luajmë për fitore dhe për këtë do të luajmë edhe nesër në stadiumin “Fadil Vokrri”. Dardanëve u kërkoj të na përkrahin maksimalisht dhe bashkë ta arrijmë fitoren”.
Edhe Milot Avdyli pohoi se janë përgatitur maksimalisht për të zhvilluar një ndeshje të mirë nesër mbrëma.
“Dje kemi pasur takimin e fundit para ndeshjes me Estoninë, e kemi analizuar mjaftë mirë kundërshtarin, i kemi parë pikat e tyre të forta dhe të dobëta dhe besoj se ne jemi shumë më të fortë pasi që jemi më të bashkuar. Ne po ashtu kemi lojtar që luajnë në ekipe të mëdha e gjithashtu futbollistët nga liga e Kosovës kanë treguar mjaftë kualitet në stërvitje dhe besoj se jemi shumë të bashkuar për të arritur këtë qëllim.
Nesër mbrëma, Kosova e pret kombëtaren e Estonisë në shtëpi në ndeshjen e parë Kualifikuese për kampionatin Evropian 2024 me fillim nga ora 20:00.
Ndeshja transmetohet në Art Motion ndërsa hyrja do të jetë falas për të gjithë ata që dëshirojnë ta përjetojnë atmosferën e veçantë në stadiumin “Fadil Vokrri”.