Përfaqësuesja e Kosovës U21 e ka nisur për mrekulli kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian.
Dardanët e rinj kanë bindur duke e mposhtur Estoninë në ‘Fadil Vokrri’ me rezultat të pastër 2-0.
Në prezencë të mijëra tifozëve në kryeqytet, Dardanët kanë triumfuar në një ndeshje të dominuar nga fillimi deri në fund të saj.
Megjithatë për të parë golin e parë në ndeshje u desh të pritej minuta e 40-të, ku Arian Llugiqi realizoi nga afërsia për 1-0.
Me epërsinë minimale të Kosovës U21 përfunduan 45 minutat e para.
Kosova vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë, derisa 20 minuta para fundit të ndeshjes u realizua edhe goli i sigurisë.
Ishte qendërmbrojtësi Andi Hoti që shënoi për rezultatin përfundimtar 2-0.
Kësisoj Kosova tani ka tre pikë nga ndeshja e parë në kualifikimet për kampionatin evropian të të rinjve.