Kosova U19 shkëlqen ndaj Maqedonisë së Veriut, kualifikohet në “Main Round”

21 janar, 2023 – Kombëtarja e Kosovës U19 ka kaluar në “Main Round” për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Poreçi 2023” në futsall. Pas barazimit 3:3 me Gjermaninë në ndeshjen e parë, Dardanët e drejtuar nga Suad Keçi kanë shënuar fitore kundër Maqedonisë së Veriut, me rezultat 6:3, në ndeshjen e zhvilluar në Shkup. Ky duel solli lojë tejet interesante dhe dramatike, sidomos në pjesën e dytë. Në 20 minutat e para ishte ekipi i Maqedonisë së Veriut që u tregua më efikas, duke realizuar dy herë. Shifrat i zhbllokoi Jusuf Josifovski, në minutën e 9-të, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Igor Skeoarovski, në minutën e 18-të. Megjithatë, në pjesën e dytë Dardanët paten paraqitje të shkëlqyeshme, duke përmbysur rezultatin me golat dy gola të Blend Krasniqit (29’ e 31’) dhe nga një gol të Jetnor Kabashit (21’) dhe Ideal Abdullahut (32’). Vendasit arritën ta ngushtojnë epërsinë në minutën e 34-t nga penalltia përmes Bojan Janev 34′, mirëpo festën e Dardanëve e konfirmuan Jetnor Kabashi, me golin e tij të dytë, në minutën e 37-të dhe Blend Bajraktari me golin e minutës së 39-të, duke vendosur rezultatin përfundimtar 6:3. Kësisoj, Kosova U19 prej 21 deri më 26 mars do t’i luajë ndeshjet kualifikuese të fazës ‘Main Round’, ku në Grupin 3, krahas Portugalisë nikoqire janë edhe Sllovakia dhe Bjellorusia.

Feronikeli mposht skuadrën gjeorgjiane në Antalya

Prishtina merr fitoren e radhës, mposht Bashkimin