Kombëtarja e Kosovës u19 është kualifikuar në “Elite Round” të kualifikimeve për “Euro 2024″, pas barazimit 2:2 ndaj Maltës të martën.
Me këtë barazim, Kosova u19 ka dalë e dyta në grup me pesë pikë të mbledhura, një më pak se Ukraina që përfundoi e para.
Malta kaloi e para në epërsi, kur në minutën e gjashtë, Matthias Fenech zhbllokoi rezultatin. Megjithatë, Kosova u kundërpërgjigj me dy gola për ta mbyllur pjesën e parë në avantazh 2:1. Fillimisht, Eliot Bujupi shënoi nga penalltia në minutën e 39-të, të cilën e siguroi Elvir Gashijani, përpara se tre minuta më vonë të realizoi golin e epërsisë. Këtë herë, shënues ishte Dior Gërbovci (42’).
Megjithatë, në pjesën e dytë, saktësisht në fund të ndeshjes, Malta shënoi edhe një herë dhe barazoi rezultatin për ta marrë pikën e parë në grup. Golin për Maltën, e shënoi kapiteni Lucas Caruana nga penalltia, të cilën e shkaktoi Alpi Shahini në minutën e 82-të.
Ndeshjet e raundit elit, Kosova do t’i luajë vitin e ardhshëm.