Kosova U16 pëson humbje në penallti nga Maqedonia e Veriut

Kombëtarja e Kosovës U16 ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë të turneut zhvillimor të UEFA-s që po mbahet në Shkup. Pas fitores kundër Hondurasit, të përzgjedhurit e Arsim Abazit janë mundur në penallti nga ekipi nikoqir, Maqedonia e Veriut, me shifrat 5:4.

Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 1:1. Të parët shënuan vendasit, por më pas gjithçka kaloi në shenjë të futbollistëve tanë, të cilët në vazhdimësi u shfaqën të rrezikshëm për portën rivale.

Golin e barazimit për Dardanët e rinj e shënoi Elvir Gashjani, në minutën e 57-të, derisa dëshira për ta përmbysur rezultatin ishte e madhe, por nuk rezultoi e suksesshme. Në fakt, në bazë të lojës së shfaqur fitorja për futbollistët tanë do të ishte epilog real i kësaj ndeshje, por shpërdorimi i shumë rasteve dhe referimi në nivel jo të duhur ndikoi në rezultat.

Në serinë e penalltive futbollistët e Maqedonisë së Veriut ishin më me fat. Ndeshjen e fundit Kosova U16 e zhvillon më 8 maj kundër Taxhikistanit.

Përzgjedhësi i kësaj grupmoshe, Arsim Abazi u shpreh i kënaqur me paraqitjen e djelmoshave dardanë. “Paraqitja e ekipit tonë ishte shumë e mirë, por u dëmtuam shumë nga gjyqtarët. Për dallim nga ndeshja e parë, kësaj radhe angazhimi dhe përkushtimi i djelmoshave tonë ishte shumë i lartë. Krijuam aksione të mira dhe shumë raste para portës kundërshtare, por fati nuk ishte me ne. Tani na pret dueli i tretë me Taxhikistanin, e ku duhet të shikojmë ta përshatim ekipin për shkak të rregullave të turneut, pasi secili lojtar duhet të ketë 90 minuta angazhim në tri ndeshje”, ka thënë Abazi.

Jasir Asani gjen golin në Hungari

Mbappe vazhdon kontratën me PSG-në edhe për dy vite?