Kosova U16 fiton edhe ndaj Shqipërisë

Kombëtarja e Kosovës U16 për femra ka shënuar fitoren e dytë në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s që po mbahet në Shqipëri. Pas fitores ndaj Kazakistanit, vajzat dardane shënuan fitore edhe ndaj Shqipërisë, në ndeshjen e zhvilluar në Kamëz, pas penalltive, me rezultat 6:5, pasi në kohën e rregullt u mbyll baras 2:2.

Pjesa e parë e këtij takimi filloi me epërsi për Kosovën por nuk përfundoi njësoj. Edhe pse Dardanet shënuan herët, qysh në minutën e nëntë me golin e Bardha Mahmutit, por më pas Shqipëria arriti ta përmbys rezultatin duke mbyllur fraksionin e parë, 2:1, me golat e Klesta Agos, në minutën e 15-të dhe Xhejsana Dishës, në minutën e 27-të.

Në pjesën e dytë, Dardanet vazhduan të luftojnë për të rikthyer rezultatin dhe menjëherë arritën barazimin, me golin e Alba Shabanit, në minutën e 59-të. Në vazhdim asnjëra prej ekipeve nuk arritën të gjejnë golin e fitores dhe si rrjedhojë fati i takimit u vendos në penallti, e ku Dardanet ishin më të sakta se sa nikoqiret.

Ndeshja e cila për shkak të rregullave të turneut duhej të përfundonte me fitues, u përmbyll me rezultat 6:5 në favor të Kosovës.

Me këtë fitore Kosova renditet e para me 6 pikë, teksa fitoren e radhës e synojnë në takimin e fundit të turneut kundër Malit të Zi, që zhvillohet të dielën në orën 13:00.

 

Tifozi që “pushtoi” Bernabeun me flamurin kombëtar: Ëndrrën e realizova kur përqafova Benzeman

Drenica shënon fitore minimale por shumë të rëndësishme ndaj Llapit