Kosova triumfon ndaj Bullgarisë

Kombëtarja e Kosovës në futsall e ka nisur në mënyrën më të mirë ciklin kualifikues për Kupën e Botës 2024.

Dardanët kanë shënuar fitore, të premten në mbrëmje, në Varna, në duel me Bullgarinë vendase, me rezultat 2:0. Të përzgjedhurit e Arben Simitçiut patën paraqitje shumë të mirë dhe për asnjë moment nuk e vendosën në pikëpyetje çështjen e fitores.

Kosova kaloi në epërsi në minutën e 17-të, me golin e Drilon Maxharrajt, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Meriton Salihu, në minutën e 27-të. Fitorja e Dardanëve mund të rezultonte edhe më bindëse, sikur Drilon Maxharraj, të realizonte nga penalltia në minutën e fundit të ndeshjes. Sidoqoftë, kjo fitore ndaj nikoqirëve të turneut të rrethit të parë kualifikues e rrit entuziazmin e ekipit, i cili synon që në këto kualifikime të lë gjurmë.

“Jam shumë i lumtur përfitoren e sotme sepse këtë e kemi pritur kohë të gjatë. Kjo është fitorja e parë në kualifikimet për Botëror. I uroj djemtë sepse kanë qenë faktorët kryesor për fitoren e sotme. Ata i kanë përmbushur detyrat taktike që i kanë pasur nga unë deri në fund për çka i përgëzoj . Gjithashtu këtë fitore duam t’ia dedikojmë presidentit Ademi për mandatin e ri, por edhe tifozëve tanë dhe tërë Kosovës”, ka theksuar pas ndeshjes përzgjedhësi Arben Simtçiu.

Kosova ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit C, e zhvillon më 9 prill kundër Armenisë, derisa në ndeshjen e tretë dhe të fundit përballet me Skocinë, më 11 prill.

SC Gjilani me njoftim të rëndësishëm për ndeshjen me Drenicën

Përzgjedhësi i Kosovës në futsall, Simitçiu flet pas fitores ndaj Bullgarisë