Kosova thërret UEFA-n, shkak thirrjet nacionaliste të serbëve

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka quajtur “absurde dhe të dënueshme” thirrjet nacionaliste që u bënë në festën e madhe të hënën mbrëma në Beograd, për triumfin e Përfaqësueses U20 të këtij vendi në botërorin e kësaj grupmoshe ditë më parë.

Krerët e FFK-së kanë njoftuar të martën se do të njoftojnë edhe institucionet më të larta të futbollit botëror e evropian në lidhje me thirrjet nacionaliste të serbëve.

Rreth 100 mijë veta morën pjesë në pritjen që iu bë Përfaqësueses kampione të Serbisë në Beograd.

Futbollistët së bashku me serbët e mbledhur, në një moment kënduan këngën nacionaliste për Kosovën: “Oj Kosovë – Kosovë, vendi im i dashur”. Por, nuk mungoi as thirrja: “Kush nuk kërcen, është shqiptar”.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë se UEFA e FIFA duhet të marrim masa. “Kampionë të botës të bëjnë gjeste të tilla është absurde. Ne do ta njoftojmë UEFA-n e FIFA-n për thirrje të tilla. Kjo e vërteton urrejtjen e tyre ndaj Kosovës dhe racizmin e tyre. UEFA duhet të marrë masa”, ka thënë Eroll Saliu për Gazetën ‘Koha Ditore’.