Kosova sfidon Shqipërinë në basketboll

 Përfaqësuesja U-20 e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e tretë miqësore në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Evropian.

Kundërshtari i radhës i Kosovës U-20 është Shqipëria U-20, njofton Federata e Basketbollit e Kosovës.

“Ndeshja do të luhet të enjten (02.07.2015) me fillim nga ora 18:00 në pallatin e sporteve “Asllan Rusi” në Tiranë. Kosova U-20 ditë më parë i ka zhvilluar dy ndeshje miqësore në Samokov, me Bullgarinë U-20 dhe në të dyja takimet ka pësuar humbje”, njofton federata.

Drejtuesit e Basketbollit të Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që t’ia sigurojë edhe një kundërshtar Përfaqësueses U-20 para nisjes për në Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe, ku Kosova do të bëjë gara në Divizionin B, Grupin B, së bashku me Gjeorgjinë, Portugalinë, Malin e Zi dhe Luksemburgun.

Garat e këtij Divizioni do të zhvillohen prej 9 deri më 19 korrik 2015 në Szekesfehervar të Hungarisë. Kosova ndeshjen e parë do ta luaj me Portugalinë më 9 korrik.