Kosova pa yje në Jordani

Kosova do të përfaqësohet në turneun e Mbretit Abdullah në Jordani pa yje. Dardan Berisha e Kenan Spahiu janë dy prej lojtarëve që do t’i mungojnë Përfaqësueses. Këtë të fundit do ta udhëheqë trajneri, Arben Krasniqi

Përfaqësuesja e Kosovës do të marrë pjesë në turneun e Mbretit Abdullah, i cili do të mbahet në Jordani, nga 5 deri më 11 gusht. Reprezentacioni, në këtë turne nuk do të jetë i kompletuar, pasi do t’i mungojnë yjet, që kanë obligime me përfaqësueset apo ekipet përkatëse.

Prej tyre, mungesat më të mëdha do të jenë Dardan Berisha dhe Kenan Spahiu, të cilët do të marrin pjesë në Eurobasket me përfaqësueset përkatëse.

“Dardani është me Poloninë, Kenani me Turqinë. Lojtarët që janë duke u përgatitur për Eurobasket ose ata që janë duke marrë pjesë aktivisht në Eurobasket për të rinj, është problem të na bashkëngjiten”, thotë për “Zërin” sekretari i përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Leart Hoxha.

“Fillimisht duhet të takohemi me selektorin dhe ta shohim se cilët lojtarë i ka ai në opsion e që nuk kanë obligime në gara”, shtoi ai.

Vazhdojnë me Arbenin

Arben Krasniqi do ta udhëheqë Përfaqësuesen në turneun e Jordanisë. Në fakt, ish-trajnerit të Prishtinës i ka skaduar kontrata me FBK-në për pozitën e përzgjedhësit, por megjithatë ai do ta vazhdojë punën, deri në zgjedhjet e ardhshme. “Në Jordani, Arbeni do të jetë selektor”, konfirmon Hoxha.

Sipas tij, prioritet absolut për FBK-në është t’i përfundojnë si duhet garat në Eurobasket për të rinj. Më pas, shpjegon ai, është në plan emërimi i drejtorit të reprezentacioneve ose e një instance përgjegjëse, që do të merret me këtë punë “full-time”.

“Më pas do të duhej të përfundojë Eurobasketi për seniorë dhe të konfirmohen a luajnë për Kosovën apo jo, pjesëmarrësit në këtë Eurobasket. Aty e tutje do të fillonte kompletimi i rosterit, rrjedhimisht edhe konfirmimi i emrit të selektorit, në mënyrë që në shkurt 2016 të nisim kualifikimet për Eurobasket 2017”, vazhdoi Hoxha për Zërin.

Ndërkohë, këtë verë, Kosova do të marrë pjesë në Kampionate Evropiane me grup-moshat U-16 dhe U-20.