Kosova nuk e fton golashënuesin më të mirë të Superligës

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futsall, Adnan Hyseni, nuk e ka ftuar sulmuesin më të mirë në elitën e futsallit kosovar, Ideal Brovinën, për dy ndeshjet që Kosova i luan në Turqi.

Sulmuesi gjakovar i Liburnit e vlerëson këtë vendim të Hysenit si tendencioz.

“Trajneri i Përfaqësueses ka diçka kundër meje, nuk e di pse. Unë jam golashënuesi më i mirë në ligë dhe nuk më ka ftuar për ndeshjet në Turqi. Ata i kanë treguar klubit tim kinse jam i suspenduar për këto dy ndeshje. Unë lëre që kam qenë ndër lojtarët më të disiplinuar, por e kam marrë vetëm një karton të verdhë gjatë gjithë sezonit”, deklaroi Brovina për “GazetaOlle.com”.

Ai tha në fund se Hyseni i ka ftuar pesë futbollistë të Besës, e cila është në vendin e tretë dhe vetëm katër të Liburnit, që kryeson pa asnjë humbje këtë sezon në Superligë.

Ndryshe, në ballafaqimin e fundit, Brovina ia shënoi Besës së Hysenit katër gola, në deklasimin që gjakovarët iu bënë pejanëve 8:3.