Kosova në Jordani, Sigal Prishtina në garat evropiane

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në mbledhjen e vet të mbajtur më 01.07.2015 pas diskutimeve për pikat e rendit të ditës ndër të tjera u pajtua edhe për këto çështje:

Bordi vendosi që të pranojë ftesën e bërë nga Federata e Basketbollit e Jordanisë për reprezentacionin A të Kosovës për pjesëmarrje në Turneun e Mbretit Abdullah, që zhvillohet nga ata 5 deri më 11 gusht.

Bordi mori vendim që për garën e nivelit të dytë kontinental, që këtë sezon organizohet nën patronatin e FIBA-s, të nominojë klubin Sigal Prishtina. Detajet rreth sistemit të garave dhe rregullave për këtë garë do të dihen javën e ardhshme.

Bordi edhe një herë i dha përkrahje të fuqishme vendimeve të Komesarit të Garave në fund të këtij sezoni dhe konfirmoi përkrahjen për orarin e zhvillimit të ndeshjeve të playoutit ndërmjet KB Kastrioti dhe KB Newborn.

Bordi u informua hollësisht edhe rreth përgatitjeve të reprezentacioneve U16 dhe U20 për kampionatet evropiane përkatëse .