Kosova në gjumë

Përfaqësuesja e Kosovës po pëson rënie. Pasi i sfidoi katër kombëtare, përfaqësuesja e shtetit nisi të zhvillojë miqësore me klube, kurse tani as nuk po luan e as nuk po e organizon ndonjë kamp. Ndërsa, ylli Bersant Celina, ka shprehur gatishmëri t’i bashkohet Norvegjisë. Ekspertët thonë se futbollistët nuk mund ta durojnë këtë gjendje të përfaqësueses, andaj ata mund të ikin

Përfaqësuesja e Kosovës nuk i ka punët mirë. Ajo ka nisur sërish të zbehet e të pësojë rënie të theksueshme pas një ngritjeje që e pati kur e mori lejen nga FIFA për të zhvilluar ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Ai vendim i FIFA-s pati filluar të shfrytëzohet maksimalisht nga skuadra e Albert Bunjakut, e cila luajti me Haitin, Turqinë, Senegalin e Omanin.

Këto ndeshje i ndihmuan seleksionuesit kosovar t’i tubojë rreth vetes edhe disa futbollistë të njohur, të cilët i joshi ekipi i vendit të tyre dhe tifozeria, pavarësisht golave të shumtë që i pësonin.

Por, pastaj gjërat filluan të ndryshojnë. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) filloi të mos i organizojë Përfaqësueses ndeshje me shtete tjera, por me klube. Së fundmi reprezentacioni kosovar luajti ndaj Eintracht Frankfurtit e Werder Bremenit, që kishin shumë mungesa, shkruan Zëri.

Zbehja e Përfaqësueses nuk përfundoi me kaq. Ajo vazhdoi duke filluar të mos i shfrytëzojë as datat e lira të UEFA-s e FIFA-s, që janë të rezervuara enkas për kombëtare.

Në këtë muaj luajtën të gjitha shtetet, por jo edhe Kosova, e cila lëre që nuk luajti, por nuk e organizoi as edhe një kamp!

Kjo gjendje duket të jetë bërë e padurueshme për futbollistë. Ata duket se po ftohen nga ekipi përfaqësues i vendit të tyre. Këto shqetësime lindën nga rasti i Bersant Celinës, të cilin mund ta humbasë Kosova.

Ylli thuajse më i madh i ekipit të Bunjakut këto ditë tha se është i gatshëm t’i bashkohet Norvegjisë. Strategu kosovar, Afrim Tovërlani, thotë se futbollisti i Manchester Cityt nuk ka faj.

“Prej disa arsyeve, më e forta që mund t’i largojë lojtarët nga përfaqësuesja është moszhvillimi i ndeshjeve miqësore. Mendoj se Celina ia ka kthyer me të keq selektorit. Lojtarët po nuk luajtën, nuk kanë paraqitje, të paktën miqësore, nuk rrinë. Paraqitjet me Përfaqësuesen ua rrisin atyre vlerën dhe janë të domosdoshme për ta”, deklaroi për “Zërin” Tovërlani.

Trajneri i njohur thotë se përfaqësuesja duhet të organizojë së paku kamping, nëse veç nuk arrin të gjejë kundërshtarë e jo të hidhet në gjumë. Trajneri i trofeve me Prishtinën thotë se kjo përfaqësuese aktuale e Kosovës nuk është kurrkah.

“Nëse nuk gjen kundërshtarë të jashtëm, së paku duhet grumbulluar Përfaqësuesja më shpesh, për të mbajtur kampingje, grumbullime dhe stërvitje. Mendoj se s’jemi kurrkah si seleksion”, u shpreh Tovërlani.

Bunjaku: Në shtator i nisim kualifikimet

Në anën tjetër, përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaku, thotë se situata në përfaqësuese është stabile dhe gjithçka është nën kontroll. “Rasti i Celinës nuk duhet të jetë shqetësues. Unë kam folur me babin e tij. Jam në kontakte me të gjithë futbollistët. Krejt është në rregull, nën kontroll”, tha Bunjaku për “Zërin”.

Ai thotë se Kosova po bëhet gati për pjesëmarrje në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, gjë që ende nuk është konfirmuar nga UEFA e FIFA.

“Në vjeshtë besoj se do të zhvillojmë ndeshje. Kurse, më 4 shtator të vitit të ardhshëm ne do t’i nisim kualifikimet. Kjo është e sigurt”, theksoi Bunjaku.

“Unë nuk jam i shqetësuar. Do të frikësohesha sikur të mos ishte ndërkombëtarizuar akoma Komiteti Olimpik dhe sportet tjera të Kosovës. Pasi janë ndërkombëtarizuar ato, nuk po frikësohem sepse do të ndërkombëtarizohemi shumë shpejt edhe ne”, u shpreh Bunjaku.