Kosova me 14 sportistë në Baku

Lojërat Olimpike evropiane po afrojnë dhe është koha për të bërë llogaritë. Evenimenti nis pas dy muajsh në Baku, ku do të marrin pjesë edhe sportistë nga Kosova.

Besim Hasani, kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KOK), ka bere te ditur se pjesëmarrjen për “Baku 2015” e kanë siguruar 14 sportistë, ndërsa pritet që deri në fund ekipi i Kosovës të përfaqësohet me 25 të tillë.

“Për momentin, kualifikimin e ka siguruar një shenjëtare, një karateist dhe katër xhudistë. Gjithashtu, edhe tetë sportistë kanë marrë ftesa për të shkuar në Baku. Pra, për momentin janë 14 sportistë që sigurt do të marrin pjesë në Lojërat evropiane”, ka thënë Hasani për “Zërin”.

Ai shprehet optimist se rrugën e tyre do ta ndjekin edhe 9-10 sportistë të tjerë: “Ka edhe sportistë tjerë që mund ta sigurojnë pjesëmarrjen në ‘Baku 2015’ përmes kualifikimeve, por edhe me anë të ftesave. Pra, në fund, në Olimpiadë mund të marrim pjesë me 24-25 sportistë”.

Kjo është hera e parë që sportistët kosovarë do të marrin pjesë në një kompeticion kaq të rëndësishëm si Lojërat Olimpike Evropiane. Kjo u arrit falë pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhjetorin e shkuar.