Kosova luan sot me Bjellorusinë, Dardanët synojnë pikët e fundit në kualifikueset e Euro 2024

Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvilloj ndeshjen e fundit në kampanjën kualifikuese për Euro 2024.

Dardanët kanë dështuar të kualifikohen nga Grupi I, përkundër se synimi ishte të zinin njërin nga dy vendet e para për të shkuar në Kampionatin Evropian.

Në ndeshjen e fundit të kampanjës kualifikuese, Kosova në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ pret Bjellorusinë me fillim nga ora 20:45.

Pas nëntë ndeshjeve të zhvilluara, Dardanët kanë grumbulluar 11 pikë, dy më shumë se Bjellorusia që është një pozitë më poshtë.

Të besuarit e trajnerit Primoz Gliha janë në seri të rezultateve pozitive, ku në tre ndeshjet e fundit kanë shtatë pikë, derisa Bjellorusia ka pesë pikë.

Kosova kërkon tre pikët për të shpresuar në pozitën e tretë e cila mbahet nga Izraeli që në duelin e fundit luan përballë Andorrës.

Ndërkohë Bjellorusia synon që të shkaktojë befasi në Prishtinë për ta zënë vendin e katërt në tabelë.

E dueli tjetër i këtij Grupi është ai mes Rumanisë dhe Zvicrës që luhet për pozitën e parë në tabelë. /Gazeta Olle/

Daku: I patëm rastet tona, por as unë nuk i shfrytëzova mirë

Dita e ndeshjes: Kosova u21 kërkon rezultat pozitiv ndaj Izrealit