Kosova ka një mundësi të re kualifikimi në Euro 2024

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ‘dëshproi’ me rezultate në kualifikimet për EURO 2024 duke mos i përmbushur pritshmëritë të cilat ishin mjaft të mëdha nga tifozët.

Ndonëse me një ndeshje më pak të zhvilluar pas suspendimit të ndeshjes ndaj Izraelit për shkak të luftës, Kosova edhe matematikisht ka humbur mundësinë që të kualifikohet në EURO 2024 përmes këtij cikli.

Pas shtatë ndeshjeve të luajtura, Kosova e gjen veten si e katërta në grupin I me vetëm shtatë pikë të tubuara, nëntë më pak se lideri Rumania dhe tetë më pak se Zvicra në vendin e dytë që tashmë ka siguruar kualifikimin.

Sidoqoftë, një rrugë e re është hapur për t’u kualifikuar në këtë Evropian, ani pse asgjë nuk është në duart e Kosovës.

Tashmë dihet se 20 ekipe kualifikohen në Evropian përmes ciklit kualifikues, teksa Gjermania si vend nikoqir kualifikohet direkt.

Tri vendet e mbetura pa plotësuar për në Evropian do të përcaktohen nga edicioni 2022/2023 i Ligës së Kombeve.

Nga një ekip prej secilës ligë (A, B dhe C) do të ketë mundësinë të kualifikohet në Kampionatin Evropian, ndërsa paraprakisht katër fituesit e grupeve në secilën prej këtyre ligave kualifikohen në play-off.

Në rast se ekipi i parë i grupit e ka siguruar kualifikimin përmes ciklit kualifikues, atëherë në play-off shkon ekipi i ranguar më mirë në ligën përkatëse.

Kosova e cila është e vendosur në ligën C, momentalisht renditet si e shtata për arritjen e play-offit, që do të thotë se duhet të paktën tri ekipe para saj të sigurojnë kualifikimin nëpërmjet ndeshjeve kualifikuese që janë duke u zhvilluar.

Kombëtare si Turqia, Kazakistani, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Luksemburgu, Greqia, që të gjitha qëndrojnë më mirë se Kosova në këtë aspekt dhe kanë përparësi. /Gazeta Olle/

Pesëshja dhe MVP i xhiros së katërt në Superligë

Miqësorja e Shqipërisë nuk sjell interesim të lartë për bileta