Kosova do të luaj miqësore me njërën nga këto tre shtete evropiane

San Marino, Lituania dhe Lihtenshtajni mund të jenë rivali i Kosovës në ndeshjen e parë miqësore të vitit 2021.

“Dardanët” planifikojnë ta luajn këtë takim me 25 mars 2021, teksa nuk dihet se a do luhet në Prishtinë apo në cilin qytet, por është thuajse e sigurt që do të zhvillohet brenda Kosovës, përcjellë Gazeta Olle.

Një gjë të tillë për “Kohën” e ka konfirmuar edhe një zyrtar i lartë në FFK.

“UEFA është organizatore e këtyre ndeshjeve miqësore, ndërsa ajo që mund të konfirmoj është se kanë nisur bisedimet për miqësore me San Marinon, Lituaninë dhe Lihtenshtajnin. Ka edhe përfaqësuese të tjera potenciale, por kundërshtari i Kosovës do të jetë një prej këtyre tri përfaqësueseve. Është kërkesë e përzgjedhësit Bernard Challandes që të luajmë miqësore me një kundërshtar më të dobët në letër. Jemi në proces të bisedimeve dhe shumë shpejt do të vendosim. Do të shohim si janë mundësitë, pra a do të luhet në Kosovë apo në ndonjë shtet tjetër”, i ka thënë KOHËS një zyrtar i FFK-së.

Se do të ketë miqësore, por nuk dihet akoma se me cilën skuadër e ka pohuar edhe Agim Ademi.

E vërteta është se do të kemi një ndeshje miqësore më 25 mars. Nuk mund të them asgjë për emrat, por mund ta konfirmoj se do të ketë miqësore. Do të shohim se a do të jetë në Prishtinë apo ndonjë qytet tjetër. Do të flasim edhe me organizatorët e ndeshjeve të UEFA-s, sepse këto ndeshje janë në datat e lira të UEFA-s. Por, kërkesa është që të kemi një miqësore që është e më e lehtë në letër. Do të shohim në ditët në vazhdim se si do të rrjedhin gjërat”, – u shpreh ai.

Takimi i fundit miqësor për Kosovën ishte ai kundër Shqipërisë, që përfundoi me fitoren e këtyre të fundit 2-1.