Korenica gati të bëjë hapin e karrierës, “sirena” nga Gjermania, Zvicra, Hungaria e Rumania

Që prej transferimit të tij te Prishtina, Meriton Korenica ka qenë një prej lojtarëve kyç të skuadrës më të titulluar në vend.

Me talentin e tij, ndihmoi kryeqytetasit që të shpallen nën-kampion të IPKO Superligës, në sezonin 2018/19.

Meriton Korenica, ishte shpërthyes sidomos në fazën përmbyllëse të elitës, duke qenë prej më meritorëve pse Prishtina mbajti gjallë ëndrrën për ta rikthyer titullin në kryeqytet pas 6 vjetësh.

Edhe pse nuk ia doli, klubi nga kryeqyteti morri pjesë në Ligën e Europës për herë të tretë rresht duke e përfaqësuar shtetin tonë në arenën ndërkombëtare.

Edhe në edicionin e sivjetmë në elitë, Korenica ka shfaqur formë të lartë. Si rrjedhojë, interesimi për të nuk ka munguar si nga klubet vendore e në rajon, ashtu edhe nga Europa.

Burime të RTV Dukagjinit pranë lojtarit kanë konfirmuar interesimin e disa skuadrave elitare në Zvicër, Gjermani, Hungari e Rumani, për futbollistin nga Rahoveci.

Kohëve të fundit shumë futbollistë vendor kanë arritur të depërtojnë në arenën ndërkombëtare.

Si duket, Meriton Korenica, do të jetë lojtari i radhës që me shumë gjasë do ta shohim në Europë, duke shfaqur aftësitë e tij të jashtëzakonshme futbollistike.

Korenica në të kaluarën ka qenë pjesë e Rahovecit, Lirisë e Shkëndisë së Tetovës në Maqedoni. 21-vjeçari, ishte pjesë edhe e grupmoshave të Kosovës ku arriti të deportoi deri të Kombëtarja U-21.