Koreanë edhe në Vushtrri

‘Moda’ e futbollistëve të huaj e ka prekur edhe Vushtrrinë. Pas Trepçës dhe Trepçës ’89, edhe Kosova (V) do të bëhet shumë shpejt me lojtarë të huaj. Trajneri Bekim Shotani ka treguar për “Zërin” se në ditët në vazhdim, në Vushtrri mund të zbarkojnë dy sulmues aziatikë, respektivisht nga Koreja e Jugut, të cilët do të provohen tek kampioni aktual i Kosovës.

“Po mendojmë t’i sjellim në Vushtrri dy futbollistë nga Azia, përmes agjensioneve të cilat i kemi kontaktuar. Ne do t’i provojmë ata në 4-5 stërvitje dhe njërin prej tyre do ta mbajmë, nëse e ka cilësinë e duhur. Ne kemi nevojë për një sulmues”, tregon trajneri vushtrrias për Zërin.

Ai shpreson që ndonjëri nga jug-koreanët ta ketë kualitetin e duhur, pasi në vendin tonë nuk ka lojtarë kualitativë të lirë në treg. Kosova ka mbetur keq pas largimit të sulmuesit kryesor, Labinot Osmani, i cili iu bashkua Prishtinës në afatin kalimtar të janarit.

Ndër të tjera, Shotani e ka marrë një lajm tjetër të mirë së fundmi. Në fakt, portieri Florent Zymeri është rikthyer në Vushtrri dhe do të jetë në dispozicion të Kosovës për pjesën e dytë të sezonit. Ndërkaq, vushtrriasit u përforcuan me dy futbollistë gjatë dimrit, Driton Vokshin e Hajvalisë dhe Kujtim Pantinën, i cili ishte i lirë.

Por, “Bardhekaltrit” u dobësuan shumë, pasi i ikën lojtarët kryesorë. Kosova e mbylli pjesën e parë të sezonit në Raiffeisen Superligë në pozitën e tretë, me 25 pikë të grumbulluara, prej tyre: 6 fitore, 7 barazime e 3 humbje.