Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e radhës, vendoset të mbahet kuvendi i rregullt i punës

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së në mbledhjen e fundit të mbajtur më datën 4 mars ka trajtuar një sër çështjesh me rëndësi për institucionin dhe mbarëvajtjen e garave që organizohen nga “shtëpia më e madhe” e futbollit në vend.

Ndër të tjerash KE ka marrë vendim për ta mbajtur Kuvendin e rregullt të punës pas më shumë se tre vjetësh.

Ky organ i FFK-së ka vendosur që Kuvendin e rregullt të punës ta mbajë më 8 prill të këtij viti.

Njoftimi i plotë nga FFK:

 Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për shumë çështje me rëndësi në futbollin  e Kosovës.

KE analizoi garat e deritashme të stinorit pranveror duke konstatuar, se me gjithë disa lëshime të vogla, ka një ngritje të cilësisë sikur edhe një rivalitet të mirë të skuadrave në suaza të “Fair-play”-t.

KE analizoi edhe punën e deritashme të komisioneve dhe kërkoi nga to që të jenë në nivel të detyrave dhe syçelë në punën  e tyre në mënyrë që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e garave.

KE po vazhdon me përgatitjet që sa më parë të instalojë sistemin VAR, që do të ishte një ndihmesë e madhe  në mbarëvajtjen e garave.

KE iu bënë thirrje edhe njëherë klubeve dhe personave zyrtarë në ndeshje që në përpikëri t’i zbatojnë  masat e Udhëzimit të IKSHPK-së për Covid 19 .

KE diskutoi edhe për përkrahje në zhvillimin e futbollit të femrave që do të reflektonte dhe në ngritjen e Kombëtareve. Kështu që FFK-ja me një Projekt që e ka miratuar edhe UEFA do të vazhdojë mbështetjen e klubeve të femrave.

KE shqyrtoi dhe miratoi raportin e Auditorit të pavarur dhe pasqyrat financiare për vitin 2020.

KE mori vendim që Kuvendi i rregullt i punës të mbahet më 8 prill 2021.

KE shqyrtoi edhe Ankesat  dhe Parashtresat drejtuar këtij organi. /Gazeta Olle/