Komisioni për Ankesa shqyrton rastin e Drenicës, merret ky vendim

Komisioni i Ankesave në mbledhjen e mbajtur ditën e hënë (sot) për shkallën e dytë, ka shqyrtuar shkresat e Klubit të Futbollit Drenica dhe ka vendosur që vendimi nga Komisioni Disiplinor i shkallës së parë të mbetet në fuqi.

“Kuqezinjtë” nga Skenderaj ishin denuar me 1 mijë euro gjobë nga Komisioni Disiplinor për shkak të lëshimit në organizimin e ndeshjes kundër Besës.

Mirëpo, kjo nuk ishte e gjitha, pasi ishin dënuar edhe trajneri, Bledar Devolli e ndihmësi i tij, Skënder Mustafa.

Drenica më pas ka bërë ankesë në shkallën e dytë të Komisionit, mirëpo e njëjta është refuzuar pasi argumentet e sjellura nga Drenica nuk ishin të mjaftuara me provat e Federatës së Futbollit.

VENDIM

Komisioni për Ankesa – shkalla e dytë në mbledhjen e mbajtur më datë 01.03.2021 pas shqyrtimit të të gjitha shkresave dhe argumenteve vendosi që vendimi i Komisionit disiplinor të shkallës së parë të datës 26.02.2021 të mbetet në fuqi. Kësisoj, ankesa e KF”Drenica“ nga Skenderaj refuzohet si e pabazuar si dhe dënimet e shqiptuara nga Komisioni Disiplinor i shkallës së parë mbeten në fuqi ndaj KF “Drenica“ Skenderaj dhe dy zyrtarëve Bledar Devolli kryetrajner dhe Skënder Mustafa ndihmës trajner në KF “Drenica“.

Arsyetim

Komisioni për Ankesa si organ i shkallës së dytë me rastin e shqyrtimit të ankesës së ushtruar nga KF “Drenica“ Skenderaj, nga ana e palës së ankimuar lidhur me rastin e apostrofuar, Komisioni mori për bazë raportet dhe provat e ofruara nga ana e shërbimit administrativ të Federatës së Futbollit të Kosovës , pastaj të Komisionit të Garave lidhur me rastin në fjalë si dhe protokollin e ndeshjes, po ashtu edhe raportet e zyrtarëve –delegatit dhe shkresat tjera plotësuese dhe nga të njëjtat konstatoj se Komisioni Disiplinor i shkallës së parë ka vepruara drejt dhe me përpikëri në zbatimin e dispozitave juridike nga neni 67 paragrafi 1,2, dhe pika 3 e Rregullores disiplinore.

Këshilla Juridike

Pala e pakënaqur në këtë vendim ka të drejtë ankese drejtuar Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës në mbrojtje të Rregullores (ligjshmërisë në afatin kohor prej tetë ditëve nga data e pranimit të këtij vendimi).