Komisioni i Disiplinës dënim maksimal për lojtarin, përjashtohet përjetë nga aktiviteti futbollistik

Komisioni i Disiplinës ka zbuluar së fundmi, vendimet e marra në lidhje me javën që lamë pas në futbollin shqiptar.

Padyshim vëmendja më e madhe ishte te ndeshja në Cërrik, ku lojtari i Mirditës, Armando Marku goditi arbitrin e ndeshjes. Për këtë, lojtari është përjashtuar përgjithmonë nga aktiviteti futbollistik, ndërsa Mirdita e humb në tavolinë ndeshjen me Sopotin.

Ndërkohë në tavolinë humbet edhe Kastrioti U-21, për braktisjen e ndeshjes me Bylisin U-21, teksa krutanëve iu zbriten edhe 3 pikë nga klasifikimi në Kategorinë Superiore U-21.

Ndërkohë për sa i përket Superiores, Vllaznia dhe zyrtari i Kastriotit, Alban Vogli paralajmërohen se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF, shkruan Panoramasport.al